Përse jemi kaq të çmendur pas kafeneve?

Shko poshtë

default Përse jemi kaq të çmendur pas kafeneve?

Mesazh nga ♛Melody♛ prej Sun Nov 03, 2013 1:38 am

Përse kafenetë janë kaq të përhapura dhe a lidhet kjo me një dëshirë të fshehtë të psikologjisë njerëzore për t’u pranuar? 
Psikologji
Ivana Dervishi

Kafenetë u krijuan në Europë në shekullin e 17, si vend ku njerëzit e kohës mblidheshin joformalisht për të shkruar, lexuar, biseduar, për t’u argëtuar, në grupe të vogla prej dy ose tre njerëzish.
Çfarë po ndodh sot me kafenetë? Përse ulen çdo ditë miliona njerëz për të pirë një kafe? A thua ka nevojë organizmi ynë për aq shumë kafeinë?
E vështirë të jetë e vërtetë, por pas kafenesë qëndron fakti se në një mënyrë ose në një tjetër, ne e blejmë kohën e tjetrit ose e këmbejmë atë, me një kafe, për një qëllim shumë të thellë, siç është dëshira për t’u pranuar nga të tjerët.
Të paktën tek ne, koncepti i kafesë është ulja në një ndenjëse të rehatshme, bisedimi me personat në tavolinë dhe rëndom ndonjëherë edhe komentimi i atyre që kalojnë atypari.
Sidoqoftë, parësore është të folurit. Një metodë kjo e shprehjes së ndjenjave dhe mendimeve. Por përse duhen shprehur ndjenjat e mendimet? Mbase për të marrë atë që kërkohet gjithë jetën, (nuk është lumturia, as dashuria) mirëkuptimin.
Mirëkuptimin? Po, po! E keni lexuar saktë. E fshehta magjike që secili kërkon në jetë, është mirëkuptimi. Nuk është aq e çuditshme sa tingëllon. Njerëzit bëjnë miqësi, sepse ndihen që mund t’i bashkojnë interesat e tyre me dikë tjetër, pra ata mirëkuptohen për diçka.
Në të njëjtën mënyrë njerëzit bien në dashuri, për shkak se në jetën e tyre shfaqet dikush që i kupton për atë çka janë. Pranimi është shpesh një koncept që lidhet me dashurinë. Përse? Sepse rrallë ndodh që njerëzit të pranojnë vullnetarisht, pa asnjë shtrëngim të jashtëm, diçka që nuk e pëlqejnë dhe nuk e duan edhe për veten.
Në këtë pikë kemi të bëjmë me kuptimin e mirë, ose siç është ndryshe togfjalëshi, me mirëkuptimin. Nga ndryshon mirëkuptimi nga kuptimi?
Të kuptuarit është marrja vesh e ideve, qëllimeve, kërkesave dhe mendimeve, të dikujt tjetër në aspektin e qartësisë së të logjikuarit në të njëjtën mënyrë dhe në të menduarit se është diçka që mund të qëndrojë.
Ne e kuptojmë një njeri që ka nevojë për ndihmë, një njeri që si në rastin e kafenesë na tregon se punët po i shkojnë mirë apo keq dhe ne e kuptojmë dikë që flet qartë gjuhën tonë amtare.
Nga këtu del që kuptimi është koncepti më i thjeshtë, i të rënit dakord me idenë e ekzistencës dhe pranimit të një mendimi, ideje, kërkese, qëllimi.
Por mirëkuptimi është një tjetër nivel. Kur mirëkuptohesh me dikë, kjo nënkupton nga vetë fjala se je kuptuar mirë. Në këtë aspekt del që paskemi tri lloje kuptimesh: të kuptuarin e thjeshtë pa treguar asnjë lloj interesi, të kuptuarin e qartë dhe pranimin e ideve të dikujt dhe të kuptuarin e keq, që është marrja tjetër për tjetër e kontekstit të shprehur.
Për më tepër dy fazat, ajo e mirëkuptimit dhe keqkuptimit, shoqërohen shpesh me veprime. Kur e mirëkupton një njeri priresh ta ndihmosh atë, t’i japësh mbështetje morale, t’i bësh të mundur realizimin e idesë që ai ka dhe ta quash kauzën e tij në një mënyrë ose në një tjetër, tënden.
Kështu krijohen organizatat, sindikatat, lëvizjet e lira, me anë të frymës së mirëkuptimit të një çështjeje të përbashkët ose të njëanshme, e cila të ngacmon të ndërmarrësh një veprim për t’ju bashkangjitur.
E kundërta ndodh me keqkuptimin, i cili ndahet në dy nënçështje të veçanta. Në keqdashësi dhe në keqkuptim kontekstual dhe interpretim të gabuar. Keqdashësia ndryshe nga përdorimi ligjor, në këtë rast përdoret për të treguar keqkuptimin e qëllimshëm dhe përdorimin e këtij si justifikim për të ndërmarrë një veprim ose për të shprehur një ide të paramenduar. Keqdashësia lidhet me rastet kur personat përgjithësisht njihen ose kanë marrëdhënie armiqësore mes tyre.
Më i zbutur është keqkuptimi kontekstual dhe interpretimi i gabuar, i cili lind për një mangësi, që mund t’i përkasë ose atij që është shprehur ose atij që e merr mesazhin. Në rastin e parë, kemi të bëjmë me mangësi gramatikore të mesazhit të përcjellë. Në rastin e dytë kemi të bëjmë me mangësi gramatikore të shprehësit, por edhe me kuptim të dyfishtë ose me pikëpamje që dallojnë.
Thënë kështu, del që keqkuptimi kontekstual dhe interpretimi i gabuar, janë të paqëllimshme dhe jo armiqësore.
Megjithatë siç mund të merret me mend, mirëkuptimi është ai që ia kapërcen të gjitha stadeve të kuptimit. Sepse ndodh që nuk kemi vetëm nevojë të na kuptojnë në lidhje me ato çka shprehim, e aq më pak të na keqkuptojnë (!), por të kuptohemi mirë dhe të ndihmohemi është një stad i lartë që nuk ndodh gjithnjë.
Në kuadër të këtij shpjegimi, bëhet më e qartë ideja e mirëkuptimit si qëllim kryesor në jetë. Të duash një njëri është ta kuptosh thelbin e tij dhe të duash t’i bashkohesh për një periudhë kohe të pakufizuar. Të mirëkuptohesh nga një epror, sjell bashkimin e tij me idetë e tua, një veprim zinxhir që sjell rritjen në karrierë e për pasojë edhe një jetë më të mirë. Të mirëkuptohesh nga fëmijët e tu, do të thotë t’i kesh ata pranë, sepse një ndjesi e mirë u përcillet atyre përmes mesazheve tuaja.
Mirëkuptimi i shoqërisë, që zgjat relativisht pak, është bashkimi i interesave dhe dhënia e mbështetjes në të gjitha format.
E për t’iu kthyer kafenesë, si një tempull i kuptimit, keqkuptimit dhe mirëkuptimit, mund ta përkufizojmë shumë mirë si domosdoshmërinë mendore të një njeriu që kërkon të mirëkuptohet. Për këtë arsye (dhe jo vetëm), shohim shpesh “zënka” për pagesën. Gjë që na bën të mendojmë se ndër të tjera (mundësitë më të mira ekonomike apo dëshira për t’u mburrur), ai që këmbëngul më tepër për të paguar, ka nevojën më të madhe të mirëkuptohet.



avatar
♛Melody♛



Shteti Shteti :

Gjinia Gjinia : Female
Numri i postimeve Numri i postimeve : 4419
Faleminderit Faleminderit : 70
Antaresimi Antaresimi : 22/04/2013

Shiko profilin e anëtarit http://www.unicalbania.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi